Abrashi e Lenjani në konferencë për shtyp

Në ambientet e kompleksit sportiv në “Perros Guirec” është zhvilluar konferenca e radhës për shtyp e Kombëtares shqiptare të futbollit. Përpara medieve të pranishme kanë qenë Amir Abrashi dhe Ermir Lenjani, të cilët kanë folur në lidhje me ndeshjen e radhës që luhet të mërkurën ndaj Francës.

Duke marrë fjalën i pari, Abrashi ka deklaruar se skuadra ka njohuri të mira për Francën dhe se të gjithë do të përpiqen të riparojnë gabimet e shfaqura ndaj Zvicrës.

“E kemi analizuar shumë mirë Francën. Në ndeshjet e fundit miqësore kundër tyre jemi paraqitur mirë. Duhet të përmirësojmë gabimet që kemi bërë me Zvicrën prej sfidës me francezët dhe besoj se Kombëtarja do të luajë mirë”, – tha mesfushori energjik.

Më tej, Abrashi ka shprehur bindjen për në një rezultat pozitiv në sfidën e dytë të Evropianit dhe se Shqipëria ka treguar se nuk u trembet të mëdhave.

“Kemi treguar që nuk u trembemi skuadrave të mëdha. Normale që Franca është më e impnjuar, sepse luan në shtëpi, por do të kenë edhe presion nga tifozët. Nuk duhet të pësojmë gola të shpejtë për t’i dhënë skuadrës besim dhe të përmirësojmë gabimet. Mendoj se mund të dalim nga kjo sfidë me rezultat pozitiv”, – deklaroi Abrashi.

Ndërsa, Ermir Lenjani theksoi se nuk ka kohë për të menduar për atë që ndodhi me Zvicrën dhe se skuadra duhet të fokusohet te dy ndeshjet e radhës duke dhënë maksimumin në fushë.

“Nuk kemi më kohë të mendojmë për atë që ndodhi me Zvicrën. Tashmë kemi dy ndeshje përpara, të mërkurën me Francën dhe më pas me Rumaninë. Duhet të japim maksimumin. Jemi paraqitur mirë në pjesën e dytë të ndeshjes, por kështu ndodh në futboll”, – u shpreh Lenjani mëngjarashi në konferencën për shtyp, teksa foli edhe për pozicionin e tij në skemat e De Biazit dhe shtoi se kuqezinjtë duhet të kenë kujdes për aspektin mbrojtës.

“Gjithmonë kam pozicionin që të ndihmoj mbrojtjen, por edhe të shtyj përpara. Do ta shohim cila do të jetë detyra ime, por fillimisht duhet të përqendrohemi te faza difensive. Gjithsesi nëse do të kemi shansin të dalim përpara, unë do të sulmoj. Por, më parë duhet të shohim si do ta përgatisim ndeshjen, për të vlerësuar si do të luajmë”, – vijoi Lenjani, duke shprehur besimin te një rezultat pozitiv. “E njohim shumë mirë Francën. Mendoj se po të luajmë me vetëbesim, të paraqitemi si grup dhe si gjithmonë të vrapojmë e të luftojmë për njëri-tjetrin, ashtu si në miqësoret ndaj ‘Gjelave’, jam i sigurt se do të fitojmë ose do të marrim një rezultat shumë të mirë”, – tha Lenjani.