Austri, sot u zhvilluan stërvitjet e fundit

Sipas programit skuadra kombëtare ka zhvilluar sot dy stërvitjet e fundit në Austri. E para në orën 10 paradite dhe e dyta në orën 17.45. Të dyja u zhvilluan me intensitet të lartë dhe me pjesëmarrjen e të gjithë futbollistëve. Nuk ka patur asnjë lojtar që ka bërë stërvitje të diferencuar. Paradite, si zakonisht fuqinë në dorë e ka patur fillimisht Alberto Belle, i cili ka ngarkuar nëpërmjet ushtrimeve të tij futbollistët. Pastaj është kaluar në ushtrime teknike, në kuadrate dhe lojra. Për ta mbyllur me pjesën taktike, e cila si gjithmonë kryehet nga Paolo Tramezzani, me ndihmën e Erjon Bogdanit dhe Ervin Bulkut.
Pasdite, skuadra është fokuasuar më shumë tek taktika. Janë kryer disa ushtrime që kanë për qëllim, të risjellin tek futbollistët lojën në zona të ngushta, kontrollin e topit me sa më pak taime dhe daljen me shpejtësi në sulm.
Me këto dy stërvitje përfundon edhe faza e përgatitjeve në Bad Waltersdorf të Austrisë. Nesër në drekë skuadra udhëton nga Graci për në Bergamo, ku do të zhvillojë edhe një stërvitje në Stadiumin “Atleti Azurri”. Pasnesër, skuadra do të luajë kundër Ukrainës, miqësoren e fundit përpara, nisjes për në Francë.