De Biasi: Një fitore që do të kujtohet nga të gjithë

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Gianni De Biasi e ka vlerësuar suksesin ndaj Rumanisë si një arritje historike dhe si mbrëmjen më të bukur të kaluar me kuqezinjtë gjatë katër viteve të fundit.

“Ishte mbrëmja më e bukur e turneut. Gjatë këtyre katër viteve të fundit, kemi kaluar ditë mjaft të bukura. Regjistruam një fitore historike për Shqipërinë, që do të kujtohet nga të gjithë”, – tha De Biasi, teksa analizoi edhe paraqitjen e skuadrës gjatë Francë 2016. Tekniku theksoi se përfaqësuesja shqiptare mund të kishte marrë më tepër nga dy takimet e para, por pagoi emocionet e mëdha me të cilat u përballë në një event tillë kaq të rëndësishëm.

“Si ndaj Zvicrës ashtu edhe ndaj Francës meritonim diçka më tepër, por paguam presionin e pjesëmarrjes në një turne kaq të madh. U ambientuam me klimën, skuadra luajti mirë, i pozicionua mirë në fushë dhe në fundin e takimit ishim më të freskët, duke mos rrezikuar. Të gjithë tifozët shqiptarë duhet të jenë shumë të kënaqur nga ajo që skuadra ka bërë në këto tre ndeshje. Treguam se jemi në lartësinë e një turneu të tillë, – shton De Biasi. – Me Zvicrën mund të kishim shënuar dhe dhamë maksimumin, me Francën të gjithë e vlerësuan paraqitjen e skuadrës dhe nëse nuk do të ishte ai shpërqendrim në fund rezultati do të ishte ndryshe. Sot zhvilluam ndeshjen që duhej të zhvillonim dhe i zbatuam mirë detyrat”, – nënvizoi ndër të tjera trajneri i kuqezinjve, Gianni De Biasi.