De Biazi: Besoj tek djemtë!

Trajneri i Leiçester-it, Claudio Ranieri, nuk është i vetmi italian që ka arritur një sukses jashtë vendit të tij, me fitimin e titullit në Premier League. Është edhe një tjetër progatonist italian që ka bërë shumë bujë: Gianni de Biasi është kthyer në hero kombëtar në Shqipëri. 59-vjeçari udhëhoqi të tijët drejt Europianit të parë. Një arritje historike për Shqipërinë, saqë edhe në fjalimin e tij, kryeministri i vendit, Edi Rama do t’i drejtohej kështu: “Dua t’iu shpreh mirënjohjen time Gianni de Biasi!”.

Celebrimet e kualifikimit shpërthyen festën në Tiranë dhe Prishtinë. Por, askush s’e kishte pritur këtë arritje, kur në vitin 2011 De Biasi u emërua në krye të pankinës kuqezi. Grupi i eliminatoreve për në Europian e vuri përballë Danimarkës, Portugalisë dhe Serbisë. “Kur thashë se Shqipëria mund t’ia dilte, nisën të qeshnin me mua…”. Por, falë stilit italian të lojës, mbrojtjes solide dhe në ekuilibër, ia arriti. Fitorja 1-0 në Lisbonë ishte edhe starti që dha shtysën. Vetëm pesë gola të pësuar në këto tetë ndeshje.

Çelësi i suksesit të De Biasi-t ishte strategjia e tij për t’u zhytur në “pishinën” me shumë emigrantë shqiptarë në Europë, sigurisht, me prindër me origjinë shqiptare ose të lindur në Kosovë.

Duke e përshkruar veten si një motivues, De Biasi arriti në këtë kualifikim. Sakaq, në intervistën e dhënë për FIFA, De Biasi pyetjes së çfarë i pëlqen më shumë tek vetja, do t’i përgjigjej kështu: “Jam krenar dhe i apasionuar, edhe pse këto mund të më vështirësojnë punën ndonjëherë. Roli im është që të gjej një sistem taktik që mund të na ndihmojë të japim më të mirën. Por, duke njohur djemtë dhe dedikimin e tyre tek puna, mund të zgjedh formacionin edhe symbyllur. Forcë jonë është shpirti i skuadrës dhe sakrificës”.