Dëmtohet Cana, nuk luan me Nantes

Kapiteni i Kombëtares shqiptare, Lorik Cana nuk u grumbullua me skuadrën e tij, Nantes për ndeshjen e dielës kundër Montpellier. Shkak për këtë mungesë është bërë dëmtimi i futbollistit shqiptar, i cili humbi kështu mundësinë për t’u aktivizuar në sfidën e javës së 34 të Ligue 1 franceze. Klubi francez nuk ka dhënë detaje rreth shkallës së dëmtimit apo kohës së rikuperimit, por për momentin duket se nuk është diçka serioze që mund ta mbajë gjatë Canën jashtë fushave. Kapiteni i kuqezinjve ka luajtur rregullisht për skuadrën e tij franceze, ku u transferua gjatë merkatos së shkuar verore, duke u kthyer menjëherë në një pikë referimi për formacionin titullar.

Ndërkohë që Cana mungonte në takimin ndaj Montpellier, në fushë që nga minuta e parë me Nantes ka qenë Ermir Lenjani, i cili po aktivizohet rregullisht me skuadrën në kampionatin francez. Mbrojtësi luajti për 90 minuta në humbjen 2-0 në shtëpi nga Montpellier, ndërsa duhet thënë se skuadra e dy shqiptarëve nuk po kalon një moment të mirë, duke regjistruar 4 humbje radhazi.