Dita e dytë, zhvillohet stërvitja e paradites

Në ditën e dytë të qëndrimit zyrtar në Bad Ëaltersdorf, kombëtarja ka zbatuar pikë për pikë programin e përcaktuar nga trajneri De Biasi. Në orën dhjetë fiks, ka nisur seanca e parë stërvitore, e cila ka zgjatur për rreth 1 orë e 10 minuta. Ajo, është zhvilluar e gjitha nën një shi që kishte nisur që një natë më parë. Futbollistët, kanë qenë shumë të karikuar ndërkohë që stafi dhe trajneri kanë kontrolluar zbatimin e detyrave të tyre. Ashtu si edhe dje pasdite, portierët Berisha,Shehi dhe Hoxha, kanë punuar në mënyrë të diferencuar në pjesën më të madhe të kohës, duke u stërvitur në fushën tjetër nga trajneri Ilir Bozhiqi. Ndërkohë, skuadra ka zhvilluar një seri aplikacionesh taktike, në kuadrate, zona të ngushta dhe në fund edhe me depërtime që mbylleshin me goditje në portë. Sipas programit të përcaktuar më parë, stërvitja e dytë do të zhvillohet në orën 17.30, në të njëjtin vend.