Finalja e Champions, kombëtarja e ndjek në grup

Finalja e mbrëmshme e Campions League, është ndjekur, nga qindra milionë njerëz në të gjithë botën. Por ajo ka patur mbrëmë edhe disa shikues krejtësisht të veçantë. Kanë qenë futbollistët dhe i gjithë stafi i kombëtares shqiptare të futbollit, ata, që kanë shijuar emocionet e mëdha, që ofroi finalja madrilène Real-Atletiko. Të bashkuar si një familje e madhe ata, kanë ndjekur një prej kulmeve të futbollit europian, siç ishte edhe kjo finale. Batuta, parashikime, debate, diskutime, brohoritje dhe emocione të forta, kanë dominuar gjatë gjithë kohës në ambientin kuqezi. Kundërshti të shumta ka patur sidomos tek goli i parë i Realit, ku një pjesë e futbollistëve mendonin se ishte gol I rregullt, ndërsa pjesa tjetër jo. Sidoqoftë pas përfundimit të kohës së rregullt ka patur më pak tifozë në ambientin kuqezi. Kuptohet, orari është i rëndësishëm për regjimin e lojtarëve.