Presidenti Duka: Kam besim tek ky grup

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit Armand Duka, i cili ka ndjekur nga afër shortin e finaleve të Kampionatit Europian “Francë 2016” në Pallatin e Kongreseve në Paris, ka dhënë këtë prononcim menjëherë pas hedhjes së tij për faqen zyrtare të FSHF: “Sigurisht, që është një grup i fortë por duke qenë finaliste, Shqipëria nuk mund të priste skuadra më të lehta. Nuk është më i miri që donim, por s’mund të themi që është edhe më i keqi. Tani na duhet të përqëndrohemi për të bërë një përgatitje sa më të mirë gjatë këtyre gjashtë muajve që kemi në dispozicion”- ka deklaruar Presidenti i FSHF.

Më pas numri 1 i futbollit shqiptar, ka shtuar: “Franca, sigurisht që ka synime të tjera dhe do të jetë më aggressive dhe mbetet skuadra me forte ne grup. Zvicra është një skuadër e fortë dhe e plotësuar me lojtarë të talentuar. Ndërsa Rumania është një ekip i mbyllur, që mbrohet mirë. Kam besim se po të tregojmë pjesën tonë më të mirë, mund ti befasojmë. Besoj gjithshtu tek vlerat e këtij grupi, të treguara gjatë një periudhe më shumë se njëvjeçare dhe mendoj se duke qenë të bashkuar, do të vazhdojmë të bëjmë gjëra të mira”- përfundoi Presidenti i FSHF Armand Duka.