Sadiku: Flas me gjuhën e golit!

Sulmuesi shqiptar, Armando Sadiku ishte heroi i skuadrës së Vaduzit në fitoren 2-0 ndaj Sionit ku shënoi një dygolësh shumë të rëndësishëm për mbijetesën e ekipit të tij në Superligën e Zvicrës. Paraqitje e tij tërhoqi vëmendjen e medieve dhe konfirmoi sulmuesin e kombëtares si një prej lojtarëve më të mirë të këtij ekipi. Vetë Sadiku në përfundim të sfidës u shpreh i lumtur për 3 pikët por dhe golat e shënuar.

“Jam me fat, që u aktivizova 90 minuta të plota dhe që dhashë kontributin tim për skuadrën me dy gola. Megjithatë nuk ishte vetëm paraqitja ime e mirë, por e gjithë skuadrës, që ndaj Sionit bëri një superndeshje”, – deklaroi sulmuesi i Kombëtares shqiptare.

Me Vaduzin këtë vit ka shënuar 7 gola, ndërsa në pjesën e parë të kampionatit realizoi 5 gola me fanellën e Zurich-ut. Gjuha që 24-vjeçari flet më mirë është ajo e golit.

“Si kur kam luajtur për Zurich-un dhe tani që luaj për Vaduzin, më pëlqen të shënoj, pasi unë unë jam një sulmues dhe detyra ime është të dërgoj topin në rrjetë”, – tha Sadiku.

Për pak ditë përfundon dhe huazimi i tij te Vaduz, por si do të jetë e ardhmja e Sadikut. “Unë kam ende dhe dy vjet kontratë me Zurich. Në përfundim të Europianit, ku do të jem i impenjuar me kombëtaren do të rikthehem sërish te Zurich”, -përfundoi sulmuesi.