Shqipëria në vendin e 45-të në FIFA

Shqipëria nuk ndryshon pozicion në renditjen e përgjithshme të FIFA-s për muajin maj. Kuqezinjtë mbeten në vendin e 45-të, pozicion ku rrëshqitën në muajin prill pas humbjes me Austrinë dhe fitores me Luksemburgun në muajin mars. Klasifikimi i muajit aktual ka sjellë shumë pak ndryshime sa u përket përfaqësueseve europiane, pasi gjatë muajit prill nuk janë zhvilluar takime. Sa u takon kundërshtarëve të Shqipërisë në Grupin A të finaleve të Europianit, Zvicra mban pozicionin më të mirë, të 14-in, Rumania është e 19-ta, ndërsa Franca mbetet e 21-ta. Rekordi historik i Shqipërisë në renditjen e përgjithshme të FIFA-s, është shënuar në gusht të 2015-ës, me vendin e 22-të.