Televizioni “SRF”, dokumentar për Shqipërinë

Me finalet e Europianit të afrohen, mediat ndërkombëtare vazhdojnë që të flasin për arritjen e Shqipërisë, duke i bërë jehonë grupit, trajnerit, cilësive dhe sidomos dëshirës dhe pasionit të shqiptarëve. Sigurisht, ashtu si edhe “France Football” kishte shkruar, duke e renditur të 33-in në listën e 50 lojtarëvetë shumëpritur të Francë 2016, Lorik Cana është “identiteti” kuqezi. Në një intervistë për televizionin zviceran “SRF”, Cana ka thënë se shqiptarët janë përgatitur për Europianin dhe kanë ambiciet e tyre të mëdha. I pyetur se si do të paraqitet Shqipëria në këtë turne, kapiteni kuqezi ka deklaruar se përfaqësuesja shqiptare do të flasë në fushë me gjuhën e shqiponjës. “E kam pasur ëndërr që të kualifikohem në Europian. Kam pritur 13 vjet për këtë. Ishte pasion dhe dashuri kur gjyqtari e mbylli ndeshjen ndaj Armenisë”, – shprehet kapiteni i Kombëtares Shqiptare, Lorik Cana.

“SRF”, ka realizuar një dokumentar për Kombëtaren shqiptare të drejtuar nga trajneri italian Gianni De Biasi, që për herë të parë u kualifikua në një Kampionat Evropian. Protagonistë më këtë dokumentar janë edhe trajneri Gianni de Biasi dhe sulmuesi Sokol Cikalleshi. Më tej shfaqet rruga e vështirë e Shqipërisë për t’u kualifikuar, si fitorja e parë ndaj Portugalisë 1-0 në transfertë dhe ajo e fundit 3-0 ndaj Armenisë në Jerevan. Trajneri De Biasi theksoi se asgjë nuk është e pamundur dhe se skuadra besoi nga fillimi deri në fund. Në fund të dokumentarit flitet edhe për ndeshjet në Europian, ndaj Zvicrës, Francës dhe Rumanisë. Sipas televizionit në fjalë, Shqipëria ka përmirësuar në mënyrë të shkëlqyer parametrat e saj teknikë dhe grupi luan një futboll modern, i disiplinuar taktikisht dhe me vetëbesim, gjë që e bën atë një skuadër mjaft të devotshme në fushë dhe të rrezikshme për kundërshtarët e saj në Europian. Ndeshja Shqipëri-Zvicër, që do të luhet më 11 qershor në Lens, është një nga përballjet më interesante të këtij Europiani, pasi në radhët e Zvicrës luajnë më shumë se gjysma e skuadrës lojtarë me origjinë shqiptare.