Torino po vëzhgon Etrit Berishën

E ardhmja e portierit të kombëtares së Shqipërisë, Etrit Berisha sipas të gjitha gjasave do të jetë larg Lazio-s. Edhe pse këtë sezon, sa herë ka zbritur në fushë, shqiptari është paraqitur mirë, kjo s’ka ndryshuar asgjë në hierarkitë e klubit të Lazios, ndaj 27-vjeçari, pasi qëndroi në janar pritet të lëvizë gjatë verës. Media italiane raporton për interesimin e Torinos për kartonin e portierit shqiptar, pasi drejtuesit “granata” nuk kanë shumë besim te portieri Padeli, që pritet të largohet. Prishtinasi mbetet një nga alternativat e mundshme. Një tjetër mundësi për Berishën mund të jetë edhe jashtë vendit, pasi në Turqi, por edhe në Francë, kanë bërë sondazhe, edhe pse të vogla. Berisha ndodhet tek Lazio që prej verës së vitit 2013.