Kombëtarja shqiptare mundet 1-0 nga Zvicra

Kombëtarja shqiptare ka humbur me rezultatin e ngushtë 1-0 ndeshjen ndaj Zvicrës, e vlefshme për Evropianin “Francë 2016”, Grupi A. Ndeshja e luajtur në stadiumin “Bollaert-Delelis” të Lensit nisi keq për kuqezinjtë, që pësuan gol shumë shpejt. Në minutën e pestë, një dalje e gabuar e Berishës në goditje këndi i jep mundësi Fabian Schar të dërgojë topin me kokë në rrjetë.

Skuadra shokohet nga goditja dhe për disa minuta Zvicra ka iniciativën me Seferovic, që ka një tjetër rast, por këtë herë Berisha i mohon golin. Përfaqësuesja shqiptare dalëngadalë e merr veten dhe këtë e tregon rasti i minutës së 31-të. Hysaj jep një pasim ideal për Sadikun me sulmuesin që del vetëm për vetëm me portierin Sommer, por nuk arrin të shënojë. Ishte gardiani zviceran ai që na mohon golin duke devijuar me këmbë goditjen e Sadikut.

Në minutën e 36-të vjen një tjetër moment vendimtari ndeshjes. Cana nuk mban dot ekuilibrin gjatë një dueli me Seferovic dhe pas rrëzimit në tokë prek topin me dorë. Gjyqtari Carballo nuk heziton të nxjerrë kartonin e verdhë, që ishte i dyti për kapitenin kuqezi (pas atij të marrë në minutën e 23-të). Automatikisht karton i kuq për Canën, që del jashtë duke lënë skuadrën me 10 vetë.   

Nga goditja e dënimit Xhemaili godet fort me topin që përplaset në shtyllë. Pjesa e parë mbyllet me një tjetër rast të Seferovic, që godet sërish portën, por Berisha bëhet mur.

Në pjesën e dytë, ndonëse në inferioritet numerik Shqipëria e De Biasit nis t’u tregojë të gjithëve arsyet pse ka ardhur mes më të mëdhave. Në minutën e 50-të, Hysaj jep një tjetër pasim të bukur për Sadikun, i cili nuk arrin dot në takimin me topin. Më pas rikthehet dueli mes Seferovic dhe Berishës, me portierin shqiptar që kthehet në një makth për sulmuesin, veçanërisht në rastin e minutës së 66-të.

Sakaq, trajneri De Biasi ka bërë dy zëvendësime duke hedhur në fushë Kaçen dhe Cikalleshin në vend të Xhakës dhe Roshit. Në minutën e 75-të, është sërish Sadiku që humb një tjetër rast të artë për shënuar, por nuk ia arrin dot. Ndërsa në minutën e 79-të ka një pretendim të Lenjanit për 11-metërsh pas një faulli të qartë të Lichtsteiner, por gjyqtari Carballo vazhdon lojën.

Vetëm tre minuta para përfundimit të kohës së rregullt Kombëtarja shqiptare pati ndoshta rastin më flagrant për të barazuar shifrat, kur Gashi mori një pasim të vyer nga Kaçe dhe doli i vetëm me portierin Sommer, por gjuajtja e tij u përplas në duart e gardianit zviceran. E pabesueshme çfarë ka humbur sulmuesi.

Sekondat e fundit nuk ndryshojnë asgjë me takimin që mbyllet me rezultatin 1-0 në favor të Zvicrës, që së bashku me Francën kanë nga 3 pikë në renditjen e Grupit A. Për t’u theksuar edhe atmosfera fantastike e krijuar nga tifozët e panumërt shqiptarë, që kanë dhuruar spektakël dhe kanë mbështetur fuqishëm kuqezinjtë deri në fund.