Sadiku në formë, tjetër gol me Vaduzin

Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Armando Sadiku ka shënuar sërish këtë fundjavë me Vaduzin në takimin që skuadra e tij humbi me rezultatin 5-4 ndaj Young Boys në ligën e parë zvicerane. Sadiku arriti të barazonte përkohësisht rezultatin në shifrat 2-2, me anë të një kundërsulmi të finalizuar me gol në fund të pjesës së parë. Edhe pse Vaduz nuk po kalon një moment të mirë, teksa ndodhet në vendin e fundit të renditjes, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për sulmuesin shqiptar, i cili po kalon një moment të shkëlqyer. Sadiku ka shënuar 5 gola që pas transferimit të tij në formë huazimi te Vaduzi në merkaton e janarit, ndërkohë që në pjesën e parë të sezonit ka shënuar edhe 5 gola të tjerë me FC Zurich, skuadra që zotëron kartonin e tij. Javën e kaluar bomberi bëri një tjetër paraqitje të shkëlqyer, duke shënuar gol ndaj St. Gallen dhe duke dhënë asiste për shokët e tij në fitoren 3-0. Duhet theksuar se Sadiku po kalon një moment mjaft të mirë në prag të finaleve të Evropianit “Francë 2016”.