Mesfushori i talentuar kuqezi, Milot Rashica sot është një yll që shkëlqen në Holandë. Madje, ai ka qenë personaliteti i javës në faqen zyrtare të UEFA-s, që në artikullin që ia ka kushtuar futbollistit e ka krahasuar atë me yllin portugez, Kristiano Ronaldo, por edhe me yllin brazilian, Neymar. “Ronaldo është idhulli i Rashicës dhe mes tyre ka disa ngjashmëri: kur e merr topin instinkti i tij i parë është të shkojë përpara dhe t’i bëjë gjërat të ndodhin. Ai gjuan në portë, nëse mundet. Në disa raste, ai duket edhe si Neymari shqiptar”, shkruhet në artikull.
“Është vlerësim shumë i madh, por besoj se është pak herët, sepse unë sapo kam filluar dhe të krahasohem me Neymarin është herët. Por, është një motivim shtesë për mua. Këto që shkruhen dhe fliten janë gjëra të mira për mua, por ato nuk të ndihmojnë të shkosh me Kombëtaren apo të paraqitesh mirë në ndeshje”, – thotë Rashica. Edhe pse vetëm 19-vjeçar, talenti e ka të qartë se çfarë duhet të bëjë, për të vazhduar rritjen si futbollist.
“Gjithçka që duhet të bëj është të vazhdoj në këtë mënyrë si po eci me Vitesse-n, të ndihmoj klubin në objektivat që ka, të shënoj gola dhe të jap asiste. Paraqitjet e mira me Vitesse-n mund të më dërgojnë në Kampionatin Evropian, asgjë tjetër. Shpresoj që të vazhdoj me formën që po kaloj dhe pse jo të grumbullohem sërish me Kombëtaren”.