Agjencitë ndërkombëtare të lajmeve dhe mediat më prestigjioze botërore i kanë bërë jehonë lajmit për prezantimin e projektit të stadiumit të ri në Tiranë.
“Associated Press” në artikullin me titull “Shqipëria do të ndërtojë një stadium të ri 22,300 vendësh” shkruan se punimet për këtë impiant modern pritet të nisin brenda një kohe të shkurtër dhe se ky investim do të jetë një shtysë e madhe për Kombëtaren kuqezi që përgatitet të marrë pjesë për herë të parë në finalet e një turneu madhor siç është Evropiani i futbollit.
Gjithashtu, “Associated Press” thekson në artikull se stadiumi do të ndërtohet aty ku është sot impianti “Qemal Stafa” dhe se kjo vepër do të realizohet nga kompania shqiptare “Albstar”.
Edhe agjencia spanjolle e lajmeve “EFE” ka publikuar një artikull me titullin “Arkitektët italianë do të ndërtojnë stadiumin e ri të kombëtares së futbollit në Shqipëri”.
Artikulli është botuar mes të tjerash edhe në gazetën e njohur spanjolle “El Mundo Deportivo”, që vë theksin te pjesa arkitekturore e kësaj vepre moderne “Studioja italiane e arkitekturës ‘ARCHEA’ ka projektuar ri stadiumin e ri kombëtar të futbollit në Shqipëri, që do të ndërtohet brenda dy viteve e ardhshme nga kompania shqiptare ‘Albstar’ e që do të kushtojë 50 milionë euro.
Agjencia “EFE” citon arkitektin italian Marco Casamonti të studios “ARCHEA”, i cili shpreh kënaqësinë që do të jetë sërish një italian që projekton një stadium në Shqipëri ashtu siç ndodhi 80vjet më parë kur arkitekti fiorentin, Gherardo Bosio projektoi stadiumin “Qemal Stafa”.
“Unë jam shumë i emocionuar që sërish një arkitekt fiorentin kthehet 80 vjet më vonë në të njëjtin vend për të ndërtuar një monument modern në Tiranë”, ka thënë Casamonti, citon “EFE”.
Në këtë vepër të artit modern janë ndërthurur aspektet e një teatri romak me simbolet e identitetit shqiptar, shpjegon arkitekti sipas EFE-s, ndërkohë që e njëjta studio ka dizenjuar edhe stadiumin e Udinezes në Itali.
Edhe gazeta apo portale të njohura si “ESPN”, “USA TODAY”, “The Washington Times”, “News & Observer”, “Yahoo News” apo britanikja “Daily Mail” e kanë pasqyruar lajmin e prezantimit të projektit të stadiumit të ri.