Ekipi kombëtar shqiptar, i cili po përgatitet në Austri për finalet e Kampionatit Europian “Francë 2016”, krahas veprimtarise sportive, mbështet edhe iniciativat sociale të shoqatave apo individëve në Shqipëri. Kjo ndodh prej vitesh dhe vazhdon të ndodhë edhe në këto ditë intensive grumbullimi e përgatitjesh. Të gjithë lojtarët e përfaqësueses tonë, së bashku me drejtuesit dhe stafin, kanë firmosur dy bluza, të cilat do ti dhurohen Fondacionit Spitalor të Nënës dhe Fëmijëve. Kjo fushatë, ka për qëllim që të rrisë sensibilitetin dhe vëmendjen e të gjithë shoqërië shqiptare për një kujdes më të mirë shëndetsor për nënat dhe fëmijët në Shqipëri.
Në emër të skuadrës kombëtare shqiptare, kapiteni i saj Lorik Cana, dha këtë mesazh sensibilizues, të cilin do ta gjeni të pasqyruar edhe me video edhe në faqen zyrtare të Federatës Shqiptare të Futbollit: “Ne bashkohemi me fondacionin Spitalor të Nënës dhe Fëmijëve, për të sjellë kujdes më të mirë shëndetsor për çdo nënë dhe fëmijë. Së bashku ne mundemi”.
Mbështetja e fondacioneve, shoqatave dhe kryesisht e iniciativave të tilla, ka qenë në vazhdimësi, një prioritet në punën e deritanishme të FSHF dhe kombëtarja si një emblem e saj, ka qenë gjithmonë e pranishme.