Është rikthyer regjimi me dy stërvitje në ditë, ashtu siç është rikthyer takimi i përditshëm me shtypin në orën 12.00, nëpërmjet konferencës për shtyp, të organizuar në kompleksin sportiv në Bad Waltersdorf, në Austri. Pas përfundimit të stërvitjes së paradites, Arlind Ajeti dhe Ansi Agolli, u janë përgjigjur pyetjeve të gazetarëve të pranishëm në lidhje me përgatitjet që skuadra po bën për finalet e Kampionatit Europian.
“Sigurisht në repartin e mbrojtjes, janë të gjithë lojtarë me vlera dhe shumë të rëndësishëm. Në fund është trajneri ai që vendos se cili do të luajë dhe cili do të qëndrojë në stol apo tribunë. Unë po përgatitem për të dhënë më të mirën time”-deklaroi fillimisht Ajeti. Më pas mbrojtësi i qendërs bëri një komend të shkurtër në lidhje me golin e shënuar kundër Katarit. “Padyshim që goli më gëzoi, duke qenë se ne mbrojtësat nuk është se jemi shumë të familjarizuar me të. Por do të isha më i kënaqur, në rast se nuk do të gabonim, siç ndodhi në rastin e golit të marrë në çastet e para të ndeshjes”-tha ndër të tjera, mbrojtësi i kombëtares.
Më pas përpara gazetarëve, doli Ansi Agolli, një prej lojtarëve më me eksperiencë të kësaj skuadre, i cili fillimisht bëri një analizë të shkurtër të ndeshjes me Katarin: “Sigurisht që goli i pësuar në fillim, ishte një gabim nga i cili duhet të mësojmë. Ishim të shpërqendruar, nuk besoj se do të përsëritet në Europian. Skuadra vinte me këmbët e rëndësuara sepse gjatë kësaj periudhe jemi stërvitur fort me dy stërvitje në ditë”. Futbollisti me një eksperiencë të madhe në skuadrën kombëtare më pas u shpreh edhe për objektivat në grup të skuadrës. “Sigurisht është një grup shumë i fortë me skuadra mjaft të mira. Megjithatë mendoj se në rast se do të luajmë siç bëmë në fazën eliminatore, ne do të kemi shanse të mira për të kaluar grupin.