Kombëtarja shqiptare e futbollit ka zhvilluar të premten seancën e fundit stërvitore në stadiumin “Bollaert-Delelis” të Lensi-it përpara ndeshjes me Zvicrën, që luhen të shtunën në ora 15:00 në këtë impiant. Kuqezinjtë kanë zbritur në fushën e blertë në orën 18:30, ndërkohë që kundërshtarët zviceranë kishin pak që kishin përfunduar seancën e tyre të nisur në ora 16:30 në stadiumin ku do të luhet sfida e vlefshme për Grupin A. Para nisjes së seancës, trajneri Gianni De Biasi dhe kapiteni Lorik Cana kanë pasur edhe një takim të rastësishëm me trajnerin e Zvicrës, Vladimir Petkovic. Dy strategët kanë shtrënguar duart dhe i kanë uruar suksese njëri-tjetrit, ndërkohë që tekniku i Zvicrës ka pasur një bisedë të ngrohtë edhe me ish-lojtarin e tij te Lazio, Lorik Canën.
Ka qenë një seancë e lehtë faktikisht ajo e së premtes, me vrapime, ushtrime shkrythëse dhe shumë punë me topin për t’i dhënë dorën e fundit përgatitjeve dhe formacionit. Astmosfera është shumë pozitive dhe të gjithë lojtarët janë nën urdhrat e De Biasit, pasi nuk ka asnjë të dëmtuar.