Kombëtarja shqiptare ka lënë vendgrumbullimin e saj në Perros Guirrec rreth orës 10:30 të së premtes për të udhëtuar drejt Lensit, ku do të luhet edhe ndeshja e parë ndaj Zvicrës (ora 15:00). Të shoqëruar me masa të larta sigurie lojtarët dhe stafi teknik kanë udhëtuar me autobus drejt aeroportit të Lannion-it. Më pas udhëtimi me avion për një distancë prej 487.3 kilometrash në vijë ajrore nga brigjet e Francës drejt aeroportit të Lille-s. Me të mbërritur sipas axhendës së përcaktuar nga UEFA, delegacioni kuqezi është nisur drejt Lensit për t’u akomoduar në hotel “Mercure” rreth mesditës. Pasi kanë zënë dhomat lojtarët dhe stafi kuqezi kanë drejtuar dhe kanë pushuar për disa orë para nisjes për në stadiumin “Bollaert-Delelis”, ku është zhvilluar edhe seanca e parë stërvitore.
Kombëtarja mbërrin në Lens për ndeshjen e parë