Pas mbërritjes në kryeqytet ndalesa e parë e Kombëtares shqiptare të futbollit ishte në Bashkinë e Tiranës, ku u prit në një ceremoni të veçantë nga kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili i dorëzua kuqezinjve “Çelësin e qytetit”.
Në një ceremoni të organizuar në ambientet para Bashkisë, Veliaj përshëndeti ekipin kombëtar dhe theksoi se fitorja më e madhe që kemi arritur është se kemi mundur një mentalitet që thoshte se nuk mund t’ia dalim, se dështojmë dhe nuk mund të organizohemi. “Arritëm fitoren kryesore për t’i treguar të gjithëve se kur jemi bashkë mund t’ia dalim dhe mund të fitojmë çdo betejë”, tha Veliaj.
Kapiteni i kombëtares, Lorik Cana falënderoi në emër të ekipit për mbështetjen e vazhdueshme dhe për pritjen. “Ne kemi një atdhe dhe patjetër që Tirana është kryeqendra, dhe ne e ndiejmë veten si në shtëpinë tonë”, – tha ai.
Ndërsa, trajneri i Kombëtares, Gianni De Biasi tha se shembulli i këtyre djemve është i rëndësishëm për shumë të rinj që duan të besojnë në një të ardhme ndryshe. “Me vullnet dhe këmbëngulje ne mund të krijojmë të ardhmen që meritojmë”, tha De Biasi, duke uruar ekipin dhe gjithë shqiptarët.