Pas kryerjes së procedurave për pasaportat diplomatike në Ministrinë e Punëve të Jashtme, autobusi i hapur kuqezi, ju drejtua Kryeministrisë, ku u pritën nga kreu i qeverisë, Edi Rama dhe Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla.
Pasi falënderoi kryeministrin për mbështetjen, skuadrën për arritjen dhe tifozët për spektaklin në tribuna, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, shprehu besim për të ardhmen e Kombëtares.
“Është një ditë e veçantë, ditë historike dhe shumë e bukur, e kthimit nga një aktivitetet që e kishim ëndërruar prej kohësh. Doja të falënderoja të gjitha ata që e kanë ëndërruar. Ju falënderoj nga thellësia e zemrës, që na bëtë mua dhe gjithë shqiptarët, pjesë të këtyre emocioneve të paharruara. Me punën dhe sakrificën ndoshta meritonit më shumë. Duhet të jeni me kokën lart dhe ne do të jemi me sytë nga ju, për momente të tjera historike. I kemi të gjitha mundësitë që të kemi histori të mëdha suksesi”, – tha Presidenti Duka.
Trajneri Gianni De Biasi vlerësoi skuadrën dhe tifozët për paraqitjen, ndërsa konfirmoi synimin për të vazhduar ëndrrën me skuadrën kuqezi.
“Mendoj se pas këtij Europiani, bota sportive dhe jo vetëm, po na merr si shembull dhe na shohin si një grup përmbi individët. Tifozët na dhanë forcë, ata i fituan të tre ndeshjet e tyre në stadiumet e Francës. Ishte një mrekulli sportive, por edhe një mrekulli humanizmi. Jam trajneri i vjetër i Shqipërisë, që dëshiroj të vazhdojë të qëndrojë këtu për të vazhduar mrekullinë”, – tha De Biasi.
Paraqitja e Shqipërisë u vlerësua edhe nga Kryeministri, Edi Rama, i cili vlerësoi edhe të ardhmen e Kombëtares. “Ju ia dolët të ngrinit lartë imazhin e kombi tonë. Ja dolët të ndryshoni në pak ditë imazhin e Shqipërisë. Është një privilegj i jashtëzakonshëm për mua, t’ju uroj në këtë kthim të lavdishëm në Atdhe pas misionit tuaj në Francë. Nuk duhet të keni asnjë pishman djema që u kthyet vetëm për një gol diferencë, por të jeni krenarë, që e bëtë kombin dhe këtë skuadër të dukej e lidhur me gjak dhe të luante si e barabartë″, – tha Rama ndër të tjera gjatë ceremonisë.