Shqipëria do të marrë pjesë për të parën herë në finalet e një Kampionati Evropian, teksa përgatitet për debutimin në “Francë 2016”, ku është përfshirë në Grupin A bashkë me Francën, Zvicrën dhe Rumaninë. Por, sipas “AFP”, janë këto pesë gjërat që duhet të dini për kuqezinjtë
Puna italiane – Jo shumë trajnerë janë nderuar me medalje nga shteti për punën e tyre, por Gianni de Biasi ka orientuar Shqipërinë drejt ujërave kurrë të eksploruara dhe suksesit drejt fazës finale të Europianit në Francë. Një herë e një kohë ai ishte një futbollist punëtor dhe trajner në Itali, por De Biasi, 59-vjeç, arriti që të merrte edhe pasaportën shqiptare, si shenjë dashurie për vendin kombëtares e së cilit drejton.
Mentaliteti ballkanas – Një miks shqiptarësh dhe futbollistësh që diasporës që janë rekrutuar nga Gianni de Biasi dhe që kanë një mentalitet të ashpër ballkanik me shumë eksperiencë duke qenë se luajnë në Itali, Gjermani dhe Zvicër. Një vend i dytë në grupin kualifikues, pas Portugalisë, ka parë Shqipërinë ta mbyllë përpara Danimarkës, që nuk arriti t’i mundte si jashtë fushe, ashtu edhe në Kopenhagen, apo edhe fitorja në tavolinë pas tmerrit të Beogradit, me ndeshjen që u braktis.
Vështirë të mundet – Skuadra e Gianni de Biasit ka një mbrojtje të stilit italian dhe që shfrytëzon shumë kundërsulmin. Shpesh detyrohet që “të parkojë autobusin”, taktikë që zakonisht nuk sjell më shumë se një gol. Kolona vertebrale e mbrojtjes përbëhet nga portieri Etrit Berisha, mbrojtësi i Napolit, Hysaj, kapiteni i Nantes, Cana, që ka edhe 90 ndeshje me kuqezinjtë.
Objektivi – Shqipëria nuk është një skuadër, që shënon shumë gola dhe mjaftohet me cinizmin për të marrë pikët. Mbrojtja është edhe pjesa më e fortë, por ajo ndonjëherë është “e ndrojtur”. Rasti i fundit që e dëshmon edhe miqësorja e humbur ndaj Austrisë, kur në 15 minuta pësuan dy gola pasi u vunë nën presion. Ndër armët më të forta janë goditjet standarde dhe skemat, por sigurisht rruga e golit provohet edhe me goditje nga jashtë zone. Mjafton të përmendet fakti që shënuan 7 gola në total në grupin kualifikues, pesë nga të cilat ndaj Armenisë. Shënuan edhe dy herë ndaj Luksemburgut në miqësoren e fundit.
Surpriza – Nuk ka asgjë për të humbur. Shqipëria është një potencial i fshehur, tipike “lëkura e bananes” ku mund të rrëshqasësh. E të mendosh që Franca u mund 1-0 në Shqipëri, edhe pse bëhej fjalë për një test miqësor. Madje, mund të pritet edhe një fitore ndaj Rumanisë apo Zvicrës. Nuk dihet nëse De Biasi do të rrezikojë të rinj si Ergys Kaçe, talenti i PAOK, apo Milot Rashica, talenti i Vitesse-s.