Trajneri i Kombëtares shqiptare, Gianni de Biasi foli për mediat pas ndeshjes me Francës, ku shprehu keqardhje për atë humbje të pësuar në minutat e fundit. Gjithsesi, tekniku italian është i kënaqur për paraqitjen që bëri skuadra në fushë pavarësisht rezultatit final.
“Ndjej keqardhje për humbjen, sepse deri dy minuta përpara fundit mund të kishim marrë rezultat pozitiv. Djemtë zhvilluan një ndeshje të shkëlqyer dhe treguan se jemi një skuadër që e meriton të luajë në Europian. U përballëm me një skuadër shumë të fortë, të cilën e vendosëm në vështirësi në më tepër se një rast. Pashë entuziazmin e lojtarëve të Francës në momentin e shënimit të golit, sipas meje edhe ata nuk e besonin më se do të fitonin”, – tha De Biasi.
Më tej, trajneri kuqezi ka analizuar ndeshjen dhe ka theksuar se Kombëtarja shqiptare meritonte më tepër nga ndeshja me Francën. Ndërsa ia vuri fajin edhe fatit që nuk e kishte me vete këtë herë.
“Nuk jam i zhgënjyer. Jam krenar nga skuadra që kam në dispozicion, që zhvilloi një paraqitje të mirë dhe që u përshëndet nga tifozët e pranishëm. Diçka e merituar, vetëm kjo duhet thënë. Hodhëm në fushë gjithçka që kishim në dispozicion, për të provuar që ta godisnim Francën. Mund të kishim shënuar në fillim të ndeshjes, por nuk ia dolëm. Ndeshja mund të kishte shkuar ndryshe sepse gjithashtu goditëm edhe shtyllën, ashtu siç e goditën edhe kundërshtarët. Meritonim diçka më tepër, por kjo nuk ka më rëndësi. Tashmë duhet të shohim përpara, kemi edhe ndeshjen e tretë dhe vetëm në fund do të bëjmë llogaritë”, – shtoi De Biasi.
Sfida e radhës për Kombëtaren shqiptare është ajo e së dielës ndaj Rumanisë. Trajneri kuqezi kërkon nga skuadra që të shënojë golin e parë në Europian me shpresën se do të vijë edhe fitorja e shpresës.
“Do të përpiqemi të rikuperojmë energjitë për ndeshjen e tretë me Rumaninë, ku do të kërkojmë golin që na mungon këtu në Europian. Për një arsye ose për një tjetër nuk kemi arritur të shënojmë, edhe pse gjithmonë i shkojmë pranë. Por, nëse nuk shënon nuk arrin ti fitosh ndeshjet dhe duhet të tentojmë ta shënojmë me më tepër kualitet”, – tha De Biasi.