Trajneri i Kombëtares shqiptare, Gianni De Biasi u shpreh pas miqësores me Ukrainën se rezultat në një miqësore nuk ka shumë rëndësi. Por tekniku shfaqi rezerva për mënyrën se si reagoi skuadra kur u gjend në disavantazh.
“Rezultati në një miqësore nuk ka shumë rëndësi. Por kjo ishte një ndeshje e rëndësishme. Sidomos për mënyrën se si do të reagonim. Pësuam gol përsëri në fillimin e ndeshjes. Na duhet të punojmë shumë në javën që na ka mbetur për të mos përsëritur gabime të tilla. Sot duhet të tregonim më shumë përqendrim”, – tha De Biasi duke folur për median pas humbjes 3-1 të përfaqësueses kuqezi.
Më tej, trajneri analizoi momentet kyçe të lojës, duke kritikuar gabimet e bëra, ndërsa vlerësoi në përgjithësi rastet për gol të krijuar nga Kombëtarja.
“Bëmë shumë gabime në pasime, ishte një ndeshje që nuk më pëlqeu, edhe pse krijuam shumë raste për gol. Të pësosh 3 gola në një ndeshje të tillë është e pafalshme, sepse pësuam gol në çdo gabim tonin dhe Ukraina përfitoi në maksimum nga gabimet tona, që punojmë gjatë gjithë javës për t’i evituar. Goli i parë i Ukrainës duhej evituar, duhej më shumë dinakëri për të dalë para topit në aksionin e tyre. Më pas, ata shënuan në fillim të pjesës së dytë dhe aty ndeshja ndryshoi, sepse po luanim ne më mirë. Gjithsesi, kemi ende kohë për të punuar dhe rregulluar disa gjëra për ndeshjen e debutimit”, – theksoi Gianni De Biasi.
Sakaq, trajneri u shpreh se provoi skema të reja loje, ndërkohë që nuk la pa përmendur tifozët kuqezi të pranishëm në stadiumin e Bergamos e që krijuan një atmosferë fantastike.
“Ishte një miqësore, ku rezultati nuk ishte primar, por ashtu si shkoi, e paguam shtrenjtë. Gjithsesi, provuam një mënyrë loje të re dhe treguam që nuk qëndrojmë besnikë të një skeme, duke ndryshuar edhe gjatë një ndeshjeje. Tifozët ishin fantastikë, ua shpërblyem vetëm për një pjesë loje. Nuk ishim brilantë, por shpresojmë që të jemi në ndeshjen e parë të Europianit”, – deklaroi ndër të tjera trajneri i Kombëtares shqiptare, Gianni De Biasi.