Trajneri i kombëtares shqiptare Xhani de Biazi, e konsideron sit ë vështirë shortin e Shqipërisë në Grupin A të finaleve të kampionatit Europian. Trajneri i Shqipërisë, fill pas shortit është shprehur kështu për faqen zyrtare të FSHF: “Sigurisht, që shorti është i vështirë. Me skuadrën mikpritëse të Europianit në grup, sigurisht që s’do të jetë e lehtë. Dy skuadrat e tjera pra Zvicra dhe Rumania, janë një hap përpara taktikisht, në raport me ne”.
Ky ka qenë konkluzioni i shpejtë i trajnerit të kombëtares, menjëherë pas shortit sa i takon skuadrave të grupit A. Më pas, është shprehur në lidhje me skuadrën e tij. “Ne do të na duhet të shtrëngojmë dhëmbët dhe të përgatemi për të dhënë maksimumin tonë në këto ndeshje, të këtij grupi të vështirë. Vetëm duke punuar dhe u përqëndruar shumë, mund të arrijmë rezultat. Ju premtoj se ne do të luftojmë shumë, për ta bërë një gjë të tillë”-ka përfunduar deklaratën e tij, menjëherë pas shortit trajneri i Shqipërisë. Ai është intervistuar nga shumë televizione të pranishme pas përfundimit të shortit, veçanërisht ato franceze, të cilat ishin shumë të interesuara, për të dëgjuar zërin e kundërshtarëve.