Sulmuesi shqiptar, Shkëlzen Gashit ka bërë një tjetër paraqitje e mirë në kampionatin amerikan të “Major League Soccer”. Lojtari i Kombëtares shqiptare ishte mes më të mirëve në fushë për Colorado Rapids në ndeshjen ndaj Columbus Crew, që përfundoi në barazim 1-1.
Gashi dha asistin për golin e shënuar nga skuadra e tij në këtë sfidë. 27-vjeçari iu afrua golit në fillim të takimit, por portieri i Columbus i mohoi festën. Goli i Colorado-s erdhi pas një harkimi perfekt të Gashit, që u shfrytëzua siç duhet nga shoku i skuadrës, Kevin Doyle duke shënuar me kokë.
Më vonë Gashi pati një tjetër mundësi për gol me topin që për fatin e keq u bllokua në momentin e fundit nga portieri kundërshar. Colorado Rapids kryeson me 24 pikë të grumbulluara klasifikimin e Konferencës së Perëndimit në Major League Soccer.