Federata Shqiptare e Futbollit, kërkon të falenderojë të gjithë opinionin publik, tifozët e zjarrtë brenda dhe jashtë Shqipërisë, banorët e Tiranës dhe të Elbasanit,shtetin shqiptar, policinë dhe organet e tjera inteligjente, që na kanë mbështetur në një periudhë të gjatë dhe intensive, në përpjekjet tona për organizmin perfekt të një ndeshjeje delikate për specifikën e saj dhe të vlerësuar me një shkallë të lartë vështirësie.
Falenderojmë për mbështetjen të gjithë ata që na kanë shkruar publikisht dhe privatisht, shoqata, organizata, individë. Na erdhi keq që s’mund ti kishim të gjithë në stadium por kjo do të ishte e pamundur edhe sikur stadium të ishte 7 milionësh. Sepse të gjithë shqiptarët, kudo që ndodhen kishin të dëshirë të ishin pranë djemve kuqezi, në këtë ndeshje.
Një falenderim i veçantë vjen për shtetin shqiptar, i cili gjatë gjithë kësaj periudhe na qëndroi pranë dhe ndihmoi me strukturat e tij, që gjithçka të shkonte sa më mirë. Kjo na e bëri më të lehtë detyrën tonë. Shërbimi Informativ Shtetëror, Garda e Republikës dhe shërbime të tjera inteligjente kanë bashkëpunuar ngushtë me Federatën Shqiptare të Futbollit, që gjithçka të shkonte sa më mirë dhe kjo ishte evidente. Asnjë incident nuk ndodhi në Elbasan dhe kjo meriton vlerësimin maksimal. Veçanërisht bashkëpunimi i gjatë dhe i vazhdueshëm me Policinë e Shtetit, ishte efikas dhe frytet e saj. Ne duam të falenderojmë strukturat e Ministrisësë së Brendshme dhe të Policisë së Shtetit, që nga drejtuesit kryesorë e deri tek ata mijra policë të thjeshtë, që për dy ditë me rradhë, sakrifikuan duke kryer shërbim të sforcuar, me përkushtim dhe profesionalizëm.
Një mbështetje të jashtëzakonshme, në këtë organizim të shkëlqyer, një kontribut të jashtëzakonshëm kanë patur edhe qytetarët e Tiranës dhe Elbasanit. Ata sakrifikuan për shkak të shtrëngesave të trafikut, të bllokimit të akseve të ndryshme rrugore etj. Sjellja e tyre qytetare, pavarësisht të vështirësive të krijuara, ishte e admirueshme.
Jo rastësisht i lamë për në fund, tifozët tanë të mrekullueshëm dhe të gjithë atat shqiptarë, që na kanë mbështetur dhe qëndruar pranë gjatë gjithë këtyre eliminatoreve. Edhe sot si në çdo rast ata ishin të mrekullueshëm, në mënyrën se si performuan se si ndërtuan koreografitë, se si sakrifikuan pa u tërhequr as nga moti i keq. Shumë prej tyre, kanë sakrifikuar duke bërë edhe mbi 1000 kilomentra për të ardhur nga vendet e Europes.
Na vjen keq, që nuk arritëm ti kënaqim edhe me rezultat dhe për këtë ju jemi borxhlinj. Por kjo, s’do të na bëjë që të ulim kokën. Përkundrazi. Nga humbja duhet të nxjerrim mësime, që në të ardhmen të jemi edhe më të fortë dhe efikasë. Ne sot ishim të gjithë bashkë, si një zemër e vetme. Jemi të bindur se edhe në të ardhmen do të jemi kështu. Djemtë kuqezinj në fushën e lojës, ndërsa ne të tjerët, krah tyre me zemrën që rreh në një ritëm me ta.
Ne, vërtet sot humbëm një betejë. Por lufta vazhdon ende dhe ne premtojmë se s’do të dorëzohemi kurrë. Në asnjë rast, kurrë. Por edhe fituam, një betejë tjetër. Atë të qytetarisë dhe të demostrimit të vlerave tona më të mira. Performanca, siguria, qytetaria dhe në përgjithsi vlerat, ishin ato që triumfuan mbi gjithçka tjetër. Dhe kjo na bën krenarë.
Edhe një herë faleminderit për mbështetjen tuaj. Ju jemi borxhlinj për këtë. Të gjithëve.
Federata Shqiptare e Futbollit