Kapiteni i dy ndeshjeve në Europianin Francë 2016, Ansi Agolli dhe sulmuesi Sokol Cikalleshi kanë dalë sot në konferencën për shtyp, të programuar në orën 17.10. Përbëllë mediave të interesuara, të dy futbollistët kanë treguar dëshirën e madhe për të vazhduar edhe më rrugëtimin për në “Euro 2016”. I pari ka folur përpara mediave Ansi Agolli dhe I është përgjigjur pyetjes në lidhje me aktivizimin e tij si kapiten: “Kapiteni i skuadrës tonë është Loriku. Ai është një lider. Dua ta falënderoj sepse pavarësisht se nuk luajti në formacion na ka dhënë shumë mbështetje morale. Nuk i fsheh emocionet e dy ndeshjeve që kam qenë kapiten, pasi ka qenë përgjegjësi mjaft e madhe. Por, kemi një skuadër me djem mjaft të mirë që ia kanë bërë punën më të lehtë trajnerit dhe mua kur mbaja shiritin e kapitenit”.
Më pas kapiteni I dy ndeshjeve të fundit, deklaroi për mediat e pranishme:“Pas një ngarkese të mjaftueshme në këto 8 ditë me tre ndeshje, dje patëm një ditë pushimi të merituar. Morali i skuadrës është mjaft i lartë. Po presim me padurim çfarë do të ndodhë. Shpresojmë të kemi fat, të luajmë edhe një ndeshje tjetër dhe të paraqitemi sa më mirë. Pas dy ndeshjeve të para pa fat, shpresoj shumë që do të kemi fatin, të luajmë edhe një ndeshje në Francë. E meritojmë me atë që kemi treguar në këto tre ndeshje të grupit. Dhe ndoshta meritojmë më shumë”-përfundoi Ansi Agolli.
Ndërkohë që sulmuesi Sokol Cikalleshi, tregoi emocionet e tij në këtë kampionat dhe faktin që aid he të gjithë futbollistët janë të lumtur, me faktin që kanë arritur një fitore ecila mund ti çojë më tej: “Në Kampionatin Europian, jemi për një objektiv madhor dhe nuk ka rëndësi nëse unë jam në fushë apo jo. Të gjithë ata që zbresin në fushë, janë lojtarët më në formë për momentin dhe njeriu i cili vendos për këto është trajneri”- sqaroi Sokol Cikalleshi. Më pas sulmuesi i skuadrës kuqezi në lidhje me dëshirën e tij për të vazhduar ëndrrën europiane deklaroi: “Ne jemi shumë të lumtur që jemi këtu dhe dëshirojmë të qëndrojmë sa më gjatë në Kampionatin Europian. Presim mundësinë tonë dhe nuk do të dorëzohemi kurrë”-, përfundoi sulmuesi Cikalleshi.