Kuqezinjtë festojnë me tifozët në shesh

Kombëtares shqiptare të futbollit iu rezervua një pritje e veçantë nga tifozët në “Fan Zone” të ngritur në Sheshin Nënë Tereza në kryeqytet, ku lojtarët u pritën si heronj teksa u ngjitën në podium.

Ekipi Kombëtar iu drejtua “Fan Zone” menjëherë pasi la Kryeministrinë dhe u pritën në shesh me brohoritje dhe falënderime nga qindra tifozë të mbledhur aty.

Edhe gjatë festës lojtarët dhanë nga një mesazh të shkurtër për të gjithë fansat e pranishëm aty. Kapiteni Lorik Cana tha se fitorja u arrit, pavarësisht se si u eliminua Shqipëria.

“Ju falënderoj të gjithëve që jeni këtu. Besoj që Shqipëria, Europianin e saj e ka fituar dhe me shumë merita, falë jush dhe mbështetjeve tuaja”, – theksoi Cana.

Festa vijoi më këngë me motive tradicionale, ndërsa në fund, kombëtarja ju drejtuar bulevardit “Dëshmorët e Kombit” me një parakalim për heronjtë.