Kjo fundjavë mund të jetë e duhura për Rey Manajt. Luhet Sassuolo-Inter, një ndeshje që për skuadrën e Mancinit vlen thjeshtë për statistika, por nga ana tjetër kjo sfidë mund ti shërbejë sulmuesit shqiptar të Interit i cili do të ketë mundësi të tregojë realisht sesa vlen. Është thuajse e sigurt prania e Manajt në formacionin titullar ndaj Sassuolos, kjo edhe për faktin se në këtë sfidë Interit do t’i mungojnë shumë lojtarë titullarë. Në këtë mënyrë 19-vjeçarit nga Lushnja i paraqitet mundësia e shkëlqyer për të luajtur për herë të parë që nga fillimi në një ndeshje të Serisë A me ekipin zikaltër.
Në këtë sezon shqiptari ka luajtur në total 129 minuta me Interin, 32 prej tyre në 4 ndeshje të Serisë A, dhe 97 të tjera në dy sfida të Kupës së Italisë, ku vetëm ndaj Cagliarit e ka nisur si titullar.