Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Futbollit, Ilir Shulku ka dalë sot paradite në një konferencë për shtyp, në selinë e futbollit shqiptar. Në qendër të vëmendjes, ka qenë kalendari i miqësoreve të muajit nëntor. “Do të luajmë dy takime miqësore, në datat e lira nga FIFA për muajin nëntor. Ndeshja e parë do të luhet në Prishtinë më datë 13 nëntor, ora 14.00. Ndërsa tjetra do të luhet në Tiranë më 16 nëntor kundër Gjeorgjisë” – deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i FSHF. Më pas ai sqaroi, se gjatë kësaj periudhe Federata Shqiptare e Futbollit ka qenë në kontakt me disa federata për organizmin e një miqësoreje. “Ne kemi qenë në kontakt me Kroacinë, Poloninë, Finlandën, Qipron, Bullgarinë etj për organizmin e miqësoreve. Për fat të keq, periudha pas përfundimit të elminatoreve dhe ajo e play-off, ishte e shkurtër dhe ishte i vështirë akordi. Sa i takon, ndeshjes në Prishtinë, kjo kërkesë e Federatës së Futbollit të Kosovës, ishte një detyrim moral dhe një kënaqësi e jashtëzakoshme. Do të kemi një tjetër festë në Prishtinë”-theksoi ai.
Më pas Sekretari i Përgjithshëm i FSHF deklaroi se në datë 14 nëntor, në Pallatin e Brigadave në Tiranë, FSHF do të organizojë një pritje me rastin e kualifikimit historik të ekipit kombëtar për në finalet e Europianit Francë 2016. “Do të jenë të ftuar, figura të shquara të futbollit, personalitete të jetës kulturore, artistike, shkencore dhe akademike të Shqipërisë. Personalitete shtetërore nga Shqipëria dhe Kosova. Drejtues të të gjithë krahëve politikë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi” – përfundoi Sekretari i Përgjithshëm i FSHF.
Sekretari Shulku, zyrtarizon miqësoret