Europiani po afrohet dhe media ndërkombëtare po nxjerrin fakte interesante ë turneut që do të zhvillohet në Francë. Kuriozitetet kanë të bëjnë sigurisht me gjëra që nuk i përkasin fushës së lojës, duke nisur nga qytetet më të shtrenjta apo më të lira, ndeshjet më të kushtueshme apo më të lira të Europianit, etj.
“Gazzetta Dello Sport” në Itali nxjerr 10 fakte interesante për Evropianin “Francë 2016”, midis të cilave përmendet edhe Kombëtarja shqiptare. Sipas prestigjiozes italiane ndeshja më e shtrenjtë do të jetë Itali-Irlandë, ku në të përfshihen çmimet e hoteleve dhe të biletës së stadiumit. Nga 10 qytetet organizatore më i shtrenjti çuditërisht nuk është konsideruar Parisi, por Lila.
Qyteti më i lirë është Lens, që gjendet vetëm 27 km larg Lilës, teksa në të nuk do të luhen ndeshjet më të rëndësishme të turneut. Dhe këtu lidhja bëhet me Kombëtaren shqiptare, pasi sfida debutuese e kuqezinjve ndaj Zvicrës është konsideruar si ndeshja më pak e kushtueshme, kjo duke parë çmimet e hoteleve. Një dhomë dyshe për një natë kushton 134 euro, çka duke i shtuar çmimin e biletës e bën këtë sfidën më të lirë ekonomikisht të turneut.