De Biasi: Paguam emocionet e minutës së parë

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Gianni De Biasi, tha se lojtarët e tij vuajtën në fillim emocionet e minutave të para, ndërkohë që vlerësoi reagimin e skuadrës kur u ndodh në disavantazh numerik. Duke folur për mediat pas humbjes 0-1 ndaj Zvicrës, italiani shprehu bindjen se kuqezinjtë mund të kishin luajtur shumë më mirë nëse do të nxirrnin në pah të gjitha cilësitë.

 “Paguam shumë emocionet e minutës së parë, e herës së parë. Luajmë më mirë kur nuk kemi asgjë për të humbur. Gjëja më pozitive sot është që me 10 vetë kishim dy mundësi të arta për të shënuar gol, – tha tekniku. – Ishte një ndeshje që nuk e interpretuam mirë në fillim, por në pjesën e dytë u rritëm shumë dhe nuk duhet harruar që luajtëm me një lojtar më pak për një orë. Skuadra dha maksimumin, tentoi deri në fund dhe patëm një rast të bujshëm në minutat e fundit, por nuk patëm fat”, – deklaroi De Biasi, që ka vlerësuar gjithashtu edhe atmosferën e krijuar nga tifozët shqiptarë në stadiumin e Lensit.

“Atmosferë fantastike, më vjen keq për këta tifozë, që e kthyen në festë sot. Më vjen keq, sepse luajtëm një pjesë të dytë shumë të mirë dhe patëm edhe 3 raste të shkëlqyer gjatë ndeshjes. Humbëm raundin e parë, na mbeten edhe dy, edhe pse kemi rivalë shumë të vështirë përpara, por do të bëjmë gjithçka deri në minutën e fundit. Jemi këtu për të luajtur Europianin tonë. Është hera e parë për të gjithë dhe jam i bindur që sot mund ta kishim luajtur shumë më mirë nëse do të nxirrnim në pah të gjitha cilësitë tona”, – theksoi tekniku i përfaqësueses shqiptare, De Biasi.