Duka: Faleminderit! Arritëm një ëndërr!

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, vlerëson rezultatin historik të kombëtares shqiptare, e cila arriti që të kualifikohej drejtëpërdrejtë në fazën finale të Kampionatit Europian “Francë 2016”. Nëpërmjet mesazhit që përcolli për faqen zyrtare të FSHF, kreu i institucionit të futbollit, përshëndeti të gjithë shqiptarët për arritjen historike: “ Unë jam i lumtur, për atë që djemtë tanë arritën në këtë mbrëmje të paharruar dhe shpresoj shumë që këtë ta ndaj me të gjithë shqiptarët. Ishte një ngjarje e madhe, pjesë padyshim e historisë sonë së futbollit. Më e madhja do ta konsideroja”.-deklaroi Presidenti Duka. Më pas Nr. 1, i institucionit të futbollit shqiptar, ka vlerësuar me tonet më të larta futbollistët e ekipit kombëtar. “Ata kanë sakrifikuar pa fund në të edicion dhe mund të konsiderohen shqiptarë të vërtetë. Kontributi dhe vlerat e tyre, bënë që të kapërcenim të gjithë vështirësitë dhe të arrinim një objektiv tepër të vështirë”- dha opinionin e tij Presidenti Duka.

Më pas ai ka falenderuar të gjithë ata tifozë e dashamirës, të cilët gjatë gjithë kësaj periudhe, i kanë qëndruar pranë skuadrës tonë kombëtare. “Ju premtuam një ëndërr. Sot jemi të lumtur që ajo është realitet”-theksoi Duka.

Në fund një vlerësim, i jashtëzakonshëm shkon edhe për trajnerin De Biazi, ideatorin dhe realizuesin e këtij suksesi. Presidenti Duka, nuk i kursen lëvdatat: “Sigurisht është një punë e mirë e bërë nga trajnerit dhe stafi i tij. E vlerësojmë dhe e falenderojmë për këtë. Tani, përpara na pret një impenjim akoma më i madh”- ka përfunduar Presidenti Armand Duka.