Historike! Kombëtarja mund 1-0 Rumaninë

Kombëtarja shqiptare e futbollit ka mundur Rumaminë me rezultatin 1-0 në ndeshjen e tretë të Grupit A në finalet e Evropianit “Francë 2016”. Një sukses historik që na rendit në vendin e tretë të grupit dhe tashmë jemi në pritje të rezultateve të tjera për të parë nëse do të kualifikohemi për në fazën tjetër si një ndër 4 skuadrat më të mira të renditur në vendin e tretë.

Trajneri Gianni De Biasi bën shumë pak ndryshime në formacion krahasuar me sfidën ndaj Francës. Ajeti është sërish në krah të Mavrajt në mbrojtje, ndërsa Basha zë vendin e Kukelit të skualifikuar. Në të djathtë është përsëri Lila dhe në sulm sërish Sadiku.

Shqipëria e nis ngadalë dhe futet plotësisht në lojë pas 20 minutash me sinjalin e parë që e jep Basha me një gjuajtje nga distanca. Në të 23-tën një aksion perfekt i tanëve konkludohet nga Lenjani, i cili me portën e bosh e nxjerr topin çuditërisht jashtë. Gjithsesi, mesfushori ishte kapur ndërkohë në pozicion jashtë loje. Në minutën e 35-të, nga goditja e këndit Memushaj ep një pasim të bukur për Bashën, i cili godet shumë lart nga një pozicion i favorshëm. Kuqezinjtë ruajnë ritmin dhe minutën e 43-të vjen edhe momenti vendimtar: krosim i Ledian Memushajt nga e djathta dhe Armando Sadiku kërcen mjaft bukur duke goditur saktë me kokë me topin që pushin në rrjetë. Shqipëria kalon në avantazh me meritë. Pjesa e parë mbyllet 1-0.

Në pjesën e dytë rumunët kanë ngulmuar më shumë për të shënuar edhe golin që do t’i jepte atyre shpresën për të vazhduar më tej.

Por thuajse në asnjë moment Berisha nuk është ndierë i rrezikuar, pasi rumunët kanë goditur jashtë zone vetëm jashtë. Momenti më flagrant ishte ai i minutës së 77-të kur Andone i shërbyer në zonë godet traversën. Në minutat e fundit Mavraj godet bukur nga këndorja, por topi përplaset në pjesën e jashtme të rrjetës. Mbyllet 1-0 për Shqipëria, që tashmë duhet të presë përfundimin e ndeshjeve të treta të grupeve për të mësuar nëse do të vazhdojë këtë aventurë apo jo.