Konferenca për shtyp, flasin De Biasi dhe Cana

Trajneri i Kombëtares Shqiptare, Giani De Biasi u shfaq në konferencën për shtyp para ndeshjes me Zvicrën përkrah kapitenit Lorik Cana. Duke folur para mediave në Lens një ditë para ndeshjes debutuese të finaleve të Evropianit, trajneri kuqezi vlerësoi arritjen e skuadrës dhe shprehu besimin se futbollistët do të japin maksimumin dhe nuk do të kënaqen me pak.  

“Jam krenar që kam një grup lojtarësh që na çoi në finalet e Europianit, pas një grupi në eliminatore ku edhe më optimisti mendonte për vendin e 4-t. Por, nuk u dorëzuam asnjëherë, edhe sepse fituam ndeshjen e parë në Portugali, kundër ekipit lider në grup dhe kjo na dha besim. Nuk kam presion, por pritshmëri të mëdha. Shpresoj që djemtë do të japin më të mirën dhe të mos kënaqen me pak. E dimë vlerën e kundërshtarëve, por ndeshjet nisin nga rezultati 0-0, duhet t’i luajmë me bindje dhe përqendrimin e duhur”, – tha De Biasi. Tekniku i Kombëtares theksoi se ndeshja me Zvicrën nuk është vendimtare, edhe pse do të donte një nisje të mbarë të turneut.  

“Është thelbësore ta njohësh kundërshtarin edhe pse ndonjëherë kjo nuk mjafton. Më tepër të ndihmon njohja e limiteve të skuadrës tonë, të jemi të mirë-organizuar dhe të bëjmë atë që dimë. Besoj se ndeshja me Zvicrën nuk është vendimtare. Është sfida e parë dhe do të ishte mirë për ne, për lojtarët që ta nisnim mbarë. E rëndësishme është që të lexoj sinjalet që do të më japë skuadra, për ti kuptuar në mënyrën e duhur”, – deklaroi De Biasi.

Ndërsa, kapiteni i Kombëtares shqiptare, Lorik Cana, u shpreh se ekipi është përmirësuar në aspektin mbrojtës, që ka qenë edhe pika më e fortë e kquezinjtë gjhatë eliminatoreve të Europianit.

“Gjithçka do të fokusohet tek futbolli. Kemi arritur këtu duke luftuar me zemër dhe organizim. Ekipi është përmirësuar shumë në aspektin e mbrojtjes dhe riorganizimit, që ishin dhe baza e kualifikimit. Kemi marrë pak gola në eliminatore dhe ajo ka qenë një ndër shtyllat kryesore të kualifikimit dhe do të mbështetemi në të njëjtën gjë për të vazhduar. Problemet e vogla nuk përbëjnë problem për ne. Secili prej nesh do të jetë në nivelin e duhur dhe në fushë do të fitojë skuadra më e fortë”, – tha Cana.

Lideri i përfaqësueses vlerësoi afrimet e reja në skuadër, që dhanë kontribut të madhor në kualifikimin historik të Shqipërisë në këtë eveniment.

“Kemi vite që jemi munduar me trajnerin që të sjellim lojtarët më të mirë. Shumë lojtarë kanë luajtur në Bundesliga të cilët na kanë ndihmuar shumë. E dimë se sa i fortë është kampionati gjerman. Mavraj ka 4 vjet me kombëtaren dhe është bërë shumë shpejt një lojtar i rëndësishëm. Eksperienca që ka marrë në Gjermani është e rëndësishme. Abrashi ka bërë një zgjedhje fantastike për të ardhmen e tij pasi u bashkua me një skuadër si Freiburg që u rikthye në Bundesliga”, – deklaroi Lorik Cana.