Shqipëria e pafat, mundet nga Franca 2-0

Kombëtarja shqiptare u mund me rezultatin 2-0 nga Franca në ndeshjen e dytë të Grupit A në finalet e Evropianit 2016. Në minutat e parë Shqipëria kërkon të fitojë terren, ndërsa Franca duket sikur i përshtatet lojës sonë. Lenjani, Ajeti, por edhe Hysaj kanë pasur mundësi të mira, por nuk gjejnë golin. Pika e fortë e Shqipërisë mbeten skemat në goditjet standarde, fantastike kjo e minutës së 39-të në goditjen e këndit që kthehet në një penallti në lëvizje për Lenjanin, i cili nuk godet si duhet.

Pjesa e dytë fillon me Pogba që futet në vend të Martial dhe Francën që i fut dy marshe më shumë. Krijojnë disa raste vendasit, Coman gjendet që në fillim para Berishës por goditja e tij është jashtë, në të 47-të nuk gjendet askush për të shfrytëzuar krosimin e Payet. Memushaj, protagonist në rastin më të mirë për Shqipërinë në minutën e 52-të, kur në dyluftim me Sagna devijojnë së bashku një krosim drejt shtyllës, kthehet topi dhe Memushaj tenton sërish nga toka me kokë, por topi del jashtë. Në të 69’, Franca, barazon llogaritë e shtyllave, me Giroud që nuk gjen avantazhin. Shqipëria ka dhe një tjetër rast në të 89-ën, Roshi përparon në të djathtën, kroson në shtyllë të dytë me Memushaj që nuk arrin të shënojë. Në minutat e fundit vjen goditja fatale! Krosim nga e djathta i Rami dhe Griezman i lënë vetëm në qendër të zonës shënon golin e avantazhit, 1-0. Festojnë francezët. Por nuk ka mbaruar këtu pasi në shtesë Payet gjen dhe golin e 2-0, që vulos rezultatin final. Tashmë, Shqipëria do të luajë ndeshjen e fundit në grup ndaj Rumanisë më 19 qershor.