Shqipëria kalon me sukses testin me Katarin

Kombëtarja shqiptare e futbollit zhvilloi testin e parë miqësor në kuadër të përgatitjeve për Kampionatin Europian “Francë 2016” ndaj Katarit. Kjo miqësore u zhvillua në Hartberg të Austrisë dhe u fitua nga kuqezinjtë me rezultatin 3-1. Ishin futbollistët e Katarit që kaluan të parët në avantazh, duke shënuar që në minutën e parë me anë të Fadlalla. Shqipëria përmbys brenda pjesës së parë, duke barazuar fillimisht me Ajetin në të 24’ e më pas në të 40’ është Lenjani që kalon kuqezinjtë në avantazh. Në pjesën e dytë, në minutën e 64-t Armando Sadiku vulos rezultatin përfundimtar të takimit, 3-1. Në këtë miqësore trajneri Xhani De Biazi u mundua të rreshtojë formacionin më të mirë të mundshëm, teksa bëri dhe disa zëvendësime, duke parë më qartë formën e të besuarve të tij që ka grumbulluar për përgatitjet për në EURO 2016. Me testin e parë të kaluar me sukses, kuqezinjtë do të vijojnë përgatitjet në Austri, ndërsa më 3 qershor do të luajë një tjetër miqësore, këtë herë në Bergamo me Ukrainën. Më pas tekniku De Biazi do të përzgjedhë 23 futbollistët që do të udhëtojnë për në Francë për të përfaqësuar Shqipërinë në Kampionatin Europian. Kombëtarja shqiptare është në grup me Francën, Zvicrën dhe Rumaninë, teksa sfidën e parë do ta luajë më datë 11 qershor me përfaqësuesen helvete.